5 shtator, 2019 – Presidenti Agim Ademi ka pritur sot ish-futbollistin e Kombëtares së Kosovës, Enis Alushin, me të cilin më pas kanë përcjellë nga afër stërvitjen e Kombëtares në stadiumin “Fadil Vokrri”. Gjatë takimit presidenti Ademi e ka njoftuar Alushin me strategjinë e FFK-së dhe të arriturat e deritashme, teksa e ka falënderuar atë për kontributin e çmuar që e dha në fillet e para të Kombëtares së Kosovës. Ndërkaq, ish-anëtari i Kombëtares e uroi presidentin Ademi për punën dhe sukseset e mëdha të deritashme, duke shprehur shpresën se shumë shpejt Kosova do të jetë edhe pjesë e ngjarjeve të mëdha si Kampionati evropian dhe ai botëror, pasi ka futbollistë cilësor dhe të ardhme të ndritur. Me këtë rast presidenti Ademi ka bërë të ditur se Enis Alushi, i cili tashmë ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist, do të dekorohet me një çmim të veçantë në ditën e ndeshjes Kosovë – Çeki për kontributin e tij të madh në krijimin e Kombëtares së Kosovës.
Enis Alushi ishte bartës i lojës së Dardanëve në kohën kur FIFA mori vendim për t’i lejuar Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Ai ishte pjesë e ekipit në ndeshjen historike Kosovë – Haiti (0:0), e cila u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari”, teksa më pas ishte vazhdimisht në shërbim të trajnerëve të Kombëtares në çdo pozitë për të cilin kishte nevojë ekipi ynë. Ai mori pjesë edhe në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2018, ku gjithmonë u shqua me kulturë të lartë sportive dhe si një lider i vërtetë i ekipit. Enisi pati karrierë të bujshme në futbollin gjerman duke luajtur për St. Pauli, Kaiserslautern dhe Paderborn.