Të dashur Dardanë, të dashur heronj të vendit tonë!

Gjithmonë kam pasur besim tek Ju dhe që nga dita e parë kur e mora drejtimin e FFK-së fuqishëm e shpreha objektivin për kualifikim në Evropian. Kur e shfaqa këtë synim dikush e pa atë si diçka utopike, por unë këtë e bazoja tek talenti, cilësia dhe entuziazmi juaj. Tani kemi bërë hapa gjigant drejt kësaj arritjeje historike dhe gjithçka po shkon ashtu siç e kemi dëshiruar.
Fitorja e sotme kundër rivalit direkt na afron tek finalizimi i këtij objektivi. Paraqitja e juaj dhe angazhimi maksimal edhe një herë bëri krenar tërë kombin.
Seria prej 15 ndeshjeve pa humbje dëshmon se ne tashmë jemi rritur shumë dhe e kemi cilësinë, përvojën dhe talentin për të arritur gjëra të mëdha.

Koha po punon për futbollin tonë, prandaj duhet të ecim tutje me guxim, vendosmëri e krenari deri në realizimin e ëndrrës – kualifikimin në Euro 2020.

Tash gjithçka varet nga ne. Le t’i shfrytëzojmë cilësitë tona dhe mundësinë që na është ofruar. Uroj që të vazhdojmë këtë rrugë të suksesit sa më gjatë që të jetë e mundur.

Me lojërat që po tregoni po e bëni krenar tërë kombin, e natyrisht edhe familjet e juaja, shumë prej të cilave në periudha të vështira për Kosovën ishin të detyruara të migronin jashtë vendit, por që asnjëherë nuk iu tretë dashuria e madhe për atdheun dhe tani pikërisht ju po e jepni kontributin madhështor për vendlindjen e prindërve tuaj.

Faleminderit për emocionet e papërshkrueshme që po na i dhuroni. Jemi me fat që ju kemi!

Me këtë rast, në emrin tim dhe të KE të FFK-së dua të falënderoj edhe stafin e trajnerëve në krye me përzgjedhësin Bernard Challandes, stafin përcjellës të ekipit kombëtar, institucionet e vendit, tifozët ‘Dardanët’ dhe gjithë qytetarët e vendit për përkrahjen e fortë që i bëjnë ekipit, pastaj ekipin organizativ të ndeshjes që ishte në nivelin më të lartë të detyrës, sponsorët dhe të gjithë ata që kontribuuan që edhe një herë të jemi storie suksesi jo vetëm për lojën e mirë të djemve tanë, por edhe për organizim të shkëlqyeshëm.

Këtë fitore ua dedikoj më së shumti futbollistëve tanë që janë duke u rehabilituar nga lëndimet: Arbër Zenelit, Milot Rashicës, Hekuran Kryeziut, Herolind Shalës e Benjamin Kolollit.

Bashkë drejt realizimit të ëndrrës!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi…

Me respekt, Agim Ademi
President i FFK-së