9 shtator, 2019 – Kombëtarja U21 e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen e saj të tretë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021. Pas fitoreve kundër Andorës dhe Turqisë, Dardanët e rinj, sonte, janë mundur nga Anglia, me rezultat 2:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “KCOM” në Hull City, në kuadër të Grupit 3. Të përzgjedhurit e Rafet Prekazit shfaqën lojë të mirë, por nuk arritën të realizojnë asnjë prej rasteve të krijuara, teksa anglezët shënuan dy herë. “Tre Luanët” e rinj i zhbllokuan shifrat në minutën e 25-të, kur gjuajtjen e Sessegnon nga vija fatale e dëboi Xhemajli, por vetëm deri te Phil Foden, i cili realizoi nga afërsia. Në fund të pjesës së parë Arbnor Muja pati mundësi të artë shënimi, por golin ia mohoi shtylla. Në pjesën e dytë Dardanët e rinj luajtën edhe më mirë dhe patën edhe disa raste të mira shënimi por nuk u treguan efikas. Ndërkohë, në momentet e fundit të ndeshjes kur djelmoshat e Prekazit sulmonin me të gjitha forcat për t’i barazuar shifrat, erdhi ndëshkimi i radhës, kur Phil Foden krijoi hapësirë të mjaftueshme për ta plasuar sërish topin në rrjetën e Smakiqit. Do theksuar se në minutën e 34-t për shkak të lëndimit u zëvendësua Lirim Mema, derisa në pjesën e dytë nuk u paraqit as Mirlind Daku, që po ashtu pësoi lëndim. Pas xhiros së tretë të Grupit 3, Kosova zë pozitën e dytë me 6 pikë, aq sa ka Austria në vendin e parë dhe Anglia në vendin e tretë.