10 shtator, 2019 – Në prag të ndeshjes Angli – Kosovë, sipas traditës, presidenti i Federatës së Futbollit të Anglisë, Greg Clarke shtroi drekë për delegacionin e FFK-së në krye me presidentin Agim Ademi, sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, nënkryetarët e KE-së, Bakir Burri e Agim Dibrani dhe anëtarin e KE-së, Mirsad Çollaku. Në këtë drekë ku ishin të pranishëm shumë legjenda të futbollit anglez dhe mysafirë të shumtë presidenti Clarke fillimisht paraqiti një historik të shkurtër për futbollin e Kosovës, si anëtarja me e re e UEFA-s dhe lavdëroi punën e shkëlqyeshme që ka bërë FFK pas tri vjetëve të pranimit në instancat ndërkombëtare, teksa u shpreh i mahnitur edhe me lojën, entuziazmin dhe zemrën e futbollistëve të Kosovës në ndeshjet e deritashme. Në fund, ai i dhuroi presidentin Ademi trofeun e ‘Tre Luanëve’ si dhe një fanellë me nënshkrimet e futbollistëve të Kombëtares angleze, të futur në një kornizë. Ndërkohë, presidenti Ademi falënderoi Anglinë si vend mik i Kosovës për gjithçka çfarë ka bërë për vendin tonë si dhe e nderoi presidentin Clarke me disa dhurata.