13 shtator, 2019 – Në kuadër të programit Grassroots, sot, në hotel ‘Emerald’, ka filluar kursi i tretë për Licencën D për portierë, i organizuar nga FFK-ja. Në këtë kurs po marrin pjesë 20 kandidatë, të cilët gjatë tre ditëve sa do të zgjasë ky kurs do të ndjekin mësimet teorike dhe praktike nga ligjëruesi gjerman, David Wetzel. Në hapje të këtij kursi pjesëmarrësit i ka përshëndetur Sanije Krasniqi, menaxhere e programit Grassroots, e cila kërkoi nga pjesëmarrësit e këtij kursi që të jenë sa më vigjilentë gjatë punës treditore, derisa theksoi se ata që e kryejnë me sukses këtë kurs më pas do të kenë mundësi të vazhdojnë me kursin për Licencën C. Ndërkaq, ligjëruesi i këtij kursi, David Wetzel, u shpreh i lumtur për bashkëpunimin e mirë me FFK-në dhe theksoi se kjo është hera e pestë që ndodhet në Kosovë për të ligjëruar para trajnerëve kosovarë. Ai kërkoi nga pjesëmarrësit që gjatë këtij kursi të jenë sa më të hapur për diskutime për ta sqaruar sa më mirë rolin e trajnerit të portierëve, derisa përmendi edhe temat në të cilat do të përqendrohet gjatë këtij kursi si: Portieri në futbollin modern & aftësitë e nevojshme; Pozicionimi i portierit; Teknikat bazike të portierit; Referenca të veçanta për ndërtimin dhe hapjen e lojës se sulmit etj.