22  maj, 2017 – Castlebar (Republika e Irlandës) – Futbollistët e Kombëtares së Kosovës U-17, pasdite kanë mbajtur një stërvitje të lehtë, më tepër si stërvitje regjenerimi, që nesër në ballafaqim me Kombëtaren e Republikës së Irlandës të jenë të gatshëm plotësisht. Atmosfera në Kombëtare sidomos pas fitores kundër Danimarkës është mjaft e mirë sikur që edhe gjendja shëndetësore sipas mjekut të Kombëtares dr. Murat Berisha, është e mirë. Nesër në orën 18.30 sipas kohë lokale (19.30 sipas kohës në Kosovë) në stadiumin ‘Solar Park 21’, Kombëtarja e Kosovës U-17 do të takohet me Kombëtaren e Republikës së Irlandës. Në fushën afër hotelit ku po kryente stërvitjet Kombëtarja e Kosovës po stërviste edhe ekipi  i njomakëve të sportit kombëtar (Garlic) i Republikës së Irlandës me të cilët shtabi teknik i Kombëtares së Kosovës bëri një fotografi me kërkesën e njomakëve. Ndërkohë, pas stërvitjeve ja se çka deklaruan disa prej tyre protagonistëve:
 
Besnik Kollari, përzgjedhës
Pas një fitoreje jashtëzakonisht të mundimshme, por tepër domethënëse, sidomos për futbollistët, të cilët kanë marrë një shtytje të madhe, nesër na pret një ndeshje mbase edhe më e vështirë se e para, por ne kemi punuar që të jemi të qetë duke zbatuar detyrat në mënyrë që të kemi përqendrimin drejt një rezultati pozitiv. Është jashtëzakonisht me interes ashtu siç ka kërkuar edhe UEFA për zhvillimin e kësaj grup-moshe që secili futbollist të ketë edhe kohën e duhur në ndeshje. Kjo na ndihmon që të kemi pasqyrë reale për mundësitë e secilit futbollist. Republika e Irlandës pamë se kishte një ekip homogjen dhe cilësor, por jo të pamposhtur. Do të japim ma ë të mirën për rezultat pozitiv
 
Hajdin Salihu, futbollist
Do të jetë një ndeshje e vështirë sepse edhe Republika e Irlandës e ka një Kombëtare të fortë e cila e ka mposhtur Irlandën Veriore, por ne kemi punuar mjaft mirë dhe si grup do të angazhohemi për rezultat pozitiv e pse jo edhe për fitore.
 

Gentrit Olluri, futbollist

Nesër do ta kemi edhe një tjetër ndeshje të fortë, E dimë që kundërshtari ka cilësi, por ne do të japim maksimumin për fitore. Angazhimi gjithmonë jep fryte dhe e bën të pamundshmen të mundur.
 
 

Florian Hysenaj, futbollist

Unë besoj se e kemi skuadrën e mirë, kemi punuar bashkë me trajnerët mirë dhe nesër të bashkuar do të japim maksimumin për të shënuar edhe fitoren e dytë. Jemi të vetëdijshëm se kundërshtari posedon cilësi dhe përvojë , por edhe ne do të jemi rival të denjë.
 
 
Dorant Ahmetaj, futbollist
Mendoj se kemi cilësi dhe nesër do të bashkohemi të gjithë për një qëllim e kjo është fitorja. E për të arritur këtë mendojë se do të angazhohemi dhe do të japim maksimumin. Jemi të motivuar shumë andaj presim fitore.