16 shtator, 2020 – Futbollistet e Kombëtares së Kosovës kanë mbajtur sot stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese kundër Estonisë. Edhe gjatë seancës së sotme Dardanet kanë stërvitur me  zell, teksa krahas stërvitjeve të zakonshme është zhvilluar edhe një lojë me vashat e ndara në dy ekipe, ku përzgjedhësja Afërdita Fazlija ka provuar edhe skema të ndryshme, në mënyrë që ta përgatisë sa më mirë duelin me estonet. Nga afër stërvitjen e Kombëtares së femrave e ka ndjekur edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Xhelal Broja, i cili i ka inkurajuar lojtaret dardane për një paraqitje sa më dinjitoze përkundër mungesave të shumta.

Deklaruan pas stërvitjes:
Edona Kastrati: Jam e lumtur që kam arritur t’i përgjigjem ftesës së trajneres për këtë ndeshje përkundër vështirësive të mëdha për shkak të pandemisë. Kemi mungesa të shumta të lojtareve nga shtetet evropiane, por edhe me bashkëlojtaret që luajnë në skuadrat e Kosovës besoj se do të arrijmë fitore. Në stërvitjen e deritashme gjithçka ka shkuar mirë dhe të gjitha jemi optimiste për sukses.

 

Liridona Syla: Për këtë ndeshje jemi të hendikepuara me mungesën e lojtareve nga Diaspora, por po përgatitemi maksimalisht me këtë fond të lojtareve nga kampionati vendor. Ardhja e Erëletës dhe Edonës na ka rritur optimizmin. Shpresoj që deri te premten të arrijmë në formën e duhur dhe kundër estoneve të shfaqim lojë të mirë dhe në fund të korrim sukses.

 

Anjeza Rexhepi: Kjo ndeshje do të jetë më e veçantë, ngase luajmë në një situatë të pazakontë. Ka kohë që nuk kemi luajtur ndeshje kampionale, por gjatë këtyre ditëve jemi duke u përgatitur maksimalisht për të dhënë më të mirën tonë. Jam optimiste që edhe kësaj here do të triumfojmë duke luajtur me entuziazëm dhe zemër.