2009-11-05
Sot në selinë e FIFA-s është zhvilluar takimi i paraparë ndërmjet krerëve  të FIFA-s dhe krerëve të FFK-së. Kryetari i FIFA-s, Sep Blatter bashkë me nënkryetarin e FIFA-s, Geofreu Thompson që njëkohësisht është kryetar i Asociacioneve të federatave, sekretarin e përgjithshëm Jerome Walcke, drejtori ligjor Marco Vilinger dhe drejtori për marrëdhënie ndërkombëtare Jerome Champagne, kanë pritur delegacionin e FFK-së të prirë nga kryetrai i FFK-së Fadil Vokrri, bashkë me nënkryetarët Agim Ademi e Bekim Haxhiu, sekrtari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe zëdhënësi Fazli Berisha. Kryetari i FIFA-s, Blatter duke iu dëshiruar mirëseardhje delegacionit të FFK-së ka thënë se futbolli i Kosovës gëzon një kujdes dhe simpati të veçantë në FIFA, ndaj edhe pritja e sotme është që të gjejmë rrugët për ta ndihmuar futbollin e Kosovës. Nga ana e tij Fadil Vokrri duke falënderuar Blatterin dhe krerët tjerë të FIFA-s për këtë takim ka parashtruar kërkesat e FFK-së për pranim, kërkesën për mbrojtjen e lojtarëve dhe klubeve si dhe lejimin e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare për Përfaqësuesen e Kosovës si dhe u ka sqaruar edhe zanafillën dhe autonominë e FFK-së që nga ish Jugosllavia e deri me sot. Tutje në diskutim z. Blatter ka thënë se për të vërtetuar dhe treguar kujdesin e veçantë për futbollin e Kosovës, sot është mbledhur këtu niveli më i lartë i futbollit botëror përkatësisht i FIFA-s dhe për të përgatitur materialin për mbledhjen e radhës të KE të FIFA-s që do të mbahet në dhjetor dhe ku do të shtrohet çështja e kërkesave të FFK-së. Përveç diskutimeve për vështirësitë ligjore të pranimit të FFK-së në UEFA e FIFA, me theks të veçantë është debatuar mbrojtja e klubeve dhe të futbollistëve rreth transferove ndërkombëtare. Pastaj u diskutua edhe prezantimi i klubeve në garat që i organizon UEFA e FIFA si dhe lejimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Përfaqësuesen e Kosovës. Dhe për të gjitha këto z. Blatter u kërkoi bashkëpunëtorëve të vet që të punojnë ngushtë në për përgatitjen e materialit të duhur për mbledhjen e radhës të KE të FIFA-s me premtimin se për të gjitha këto do të shikohet të gjendet një zgjidhje e duhur më e mira e mundshme. Ndonëse, nuk ishte paraparë që dikush nga FIFA t’u drejtohet mediave të Kosovës që ishin në numër shumë të madh, megjithatë pas takimit gazetarëve iu drejtua Jerome Walcke sekretar i përgjithshëm i FIFA-s.