8 mars, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 22-të në Ipko Superligë. Drita ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Prishtinën, me rezultat 2:1. Ndeshja u zhvillua në një terren të vështirë për lojë si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, por që kjo nuk i pengoi gjilanasit që të shënojnë dy gola për tri pikë të rëndësishme në garën për titull. Rezultatin e zhbllokoi Kastriot Rexha pas tetë minutave lojë, duke e kaluar Dritën në epërsi prej 1:0. Prishtina i barazoi shifrat me golin e Oto John, në minutën e 75-të.  Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë Astrit Fazliu shënoi një supergol nga distanca për fitoren e Dritës. Fitore me rezultat identik ka shënuar edhe Llapi para tifozëve të vet, duke e mundur Gjilanin (2:1). Ramadani (2’) dhe Ymeraj (35’) për llapjanët, derisa Nikac (70’) realizoi për Gjilanin.