26 korrik, 2020 – Është mbyllur edicioni garues 2019/20 në Ipko Superligë. Drita u kurorëzua si kampione pas ndeshjes kundër Ballkanit në Suharekë, ndonëse titullin e tretë në histori të klubit e kishte siguruar në javën paraprake pas fitores kundër Drenicës dhe barazimit të Gjilanit me Ballkanin. Në ndeshjen e fundit Drita pësoi humbje në duel me Ballkanin, me rezultat 2:1, por kjo nuk e prishi aspak festën e gjilanasve, të cilët hyrën në ndeshje të relaksuar, duke e ditur se tashmë ishin kampionë. Para ndeshjes futbollistët e Ballkanit nderuan kampionët e rinj duke i duartrokitur gjatë hyrjes në fushë. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Visar Berishës, në minutën e 14-të. Shifrat i barazoi Xhevdet Shabani, në minutën e 33-të. Megjithatë, golin e fitores për portokallinjtë e Suharekës e realizoi Mirlind Daku, në minutën e 61-të. Në ceremoninë e ndarjes së trofeut të pranishëm ishin presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ministrja për sport, Vlora Dumoshi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, anëtarët e KE-s, Mirsad Çollaku e Naser Ajeti, si dhe mysafirë tjerë. Trofeun e kampionit kapitenit të Dritës, Ardian Limani ia dorëzuan së bashku ministrja Dumoshi dhe presidenti Ademi.

Ndërkohë, ndeshjet e sotme e dhanë epilogun edhe sa i përket skuadrës së dytë që do të na përfaqësojë në Evropë dhe skuadrës së katërt që do të përshëndetet nga elita. Ishte pikërisht ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Flamurtarit që qartësoi të dy këto enigma, ku me gjilanasit me fitore e siguruan pozitën e dytë dhe daljen e parë në garat evropiane. Në anën tjetër, kuqezinjtë e kryeqytetit me këtë humbje bien nga elita, duke pasur parasysh se dy rivalet e saj për mbijetesë, Trepça’89 dhe Drenica realizuan fitore në javën e fundit. Kësisoj, nga Superliga përshëndeten Flamurtari, Ferizaj, Vushtrria dhe Dukagjini.