16 shkurt, 2020 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje e tjera të javës së 18-të në Ipko Superligë. Drita ka shënuar fitore në derbin e madh ndaj rivalit lokal, Gjilanit, me rezultat 2:0, në një ndeshje ku si zakonisht nuk ka munguar spektakli në tribuna nga tifozët e të dyja skuadrave. Në pjesën e parë nuk pati gola, por rastet ishin të shumta, ku Gjilani qëlloi tri herë shtyllën, derisa Drita një herë. Megjithatë, në pjesën e dytë ishte Betim Haxhimusa, ai, i cili vendosi fituesin e kësaj ndeshje, duke shënuar dy herë, fillimisht në minutën e 65-të e më pas në minutën e 79-të. Kjo fitore ia mundësoi Dritës ngjitjen në pozitën e dytë, me 34 pikë, aq sa ka edhe Prishtina në vendin e tretë, përkatësisht tri më pak se Ballkani kryesues. Fitore tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë ka realizuar Flamurtari në kryeqytet, duke e mundur Trepçën’89, me rezultat 4:3. Golat për kuqezinjtë i shënuan Maxhuni (14’), Zeqaj (39’), Kelmendi (40’) dhe Gucev (78’), kurse për mitrovicasit realizuan Manaj (32’), Emini (54’) dhe Hoti (61’). Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Dukagjinit dhe Llapit u mbyll pa fitues dhe pa gola.