29 shtator, 2019 – Drita e ka fituar derbin e madh të Ipko Superligës kundër rivalit lokal, Gjilanit, me rezultat 1:0. Si zakonisht kjo ndeshje solli spektakël në tribuna nga tifozeritë e të dyja skuadrave, derisa përcaktues ishte goli i shënuar nga Ardian Cuculi, në minutën e 29-të, kur shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Xhevdet Shabanit. Ndërkohë, Prishtina ka vazhduar serinë e fitoreve, kësaj radhe si mysafire e ka mundur Vushtrrinë, me rezultat bindës 3:0. Golat për bardhekaltrit e kryeqytetit i shënuan Alban Shillova, Nertil Hoxhaj dhe Armend Thaqi. Për Prishtinën kjo ishte fitorja e katërt radhazi. E fitore si mysafir ka realizuar edhe Ballkani, që e ka mposhtur Drenicën në Skenderaj, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj ndeshjeje e ka shënuar Jetmir Topalli, në minutën e 6-të.