1 mars, 2020 – Me grumbullimin në Gjakovë është përmbyllur faza e dytë e projektit “Elite Youth Development Programm U15”. Mbi 40 talente nga Rajoni i Gjakovës për herën e dytë kanë shfaqur talentin e tyre para përgjegjësve të këtij projekti Edmond Rugova e Michael Nees dhe trajnerëve vlerësues të këtij projekti, me synimin për të qenë pjesë e vazhdimësisë së këtij projekti. Edhe kësaj radhe janë dalluar disa talente me potencial, derisa të tjerët kanë brum të mirë por që u duhet të punojnë më shumë për të qenë në nivelin e synuar për këtë grupmoshë. Në përfundim të fazës së dytë përgjegjësit e projektit vlerësuan paraqitjen e secilit futbollist me nota pozitive, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë ta duan futbollin dhe të punojnë me përkushtim që një ditë të kenë të ardhme të ndritur. Rugova dhe Nees u kanë premtuar të gjithë futbollistëve se do të jenë afër tyre edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh nëse do të jenë në mesin e të përzgjedhurve për fazën e tretë, teksa kanë përgëzuar trajnerët pjesëmarrës të këtij projekti për punën që po e bëjnë në vlerësimin sa më të drejtë të këtyre talenteve.