25 janar, 2020 – Pas grumbullimeve seleksionuese në Prishtinë dhe Ferizaj në fundjavën e kaluar, sot, në Mitrovicë është mbajtur grumbullimi i radhës me futbollistët elitar të grupmoshës nën 15 vjeç nga trevat e Mitrovicës, Vushtrrisë e Skenderajt, ku morën pjesë 34 talente, prej të cilëve 28 lojtarë dhe 6 portierë. Në mesin e këtyre talenteve ishte edhe një futbollist i komunitetit rom, i cili tash e disa kohë është pjesë e shkollës së futbollit të Trepçës’89. Përgjegjësi i projektit “Elite Youth Development Programme U15”, Edmond Rugova është shprehur mjaft i kënaqur me organizimin e turneut në Mitrovicë, por edhe me atë çfarë treguan futbollistët e përzgjedhur të këtij rajoni. “Është vërtet kënaqësi të shohësh këta fëmijë duke luajtur futboll. Ata zotërojnë talent të jashtëzakonshëm dhe sigurisht se me punë të vazhdueshme do të arrijnë që ta perfeksionojnë lojën e tyre. Normalisht se në këtë moshë futbollistët mund të kenë ndryshime në zhvillimin e tyre brenda disa muajve, por shihet se ky rajon ka talente të shumta dhe sinqerisht jam i kënaqur me atë çfarë kemi parë sot. Tash na mbetet që së bashku me trajnerët e tjerë të përfshirë në këtë projekt t’i ndjekim në vazhdimësi lojtarët e grumbulluar dhe t’i përzgjedhim më të mirët. Natyrisht se do t’i japim edhe mundësi tjera këtyre talenteve për t’i treguar vlerat e tyre, pasi ky është një program njëvjeçar”, ka thënë Rugova. Gjatë ndeshjeve të zhvilluara futbollistët e rinj treguan pasion të madh për futbollin, angazhim dhe cilësi, derisa çdo veprim dhe aftësi e tyre u vëzhgua me vëmendje të madhe nga trajnerët e këtij projekti, të cilët në fund dhanë vlerësimet e tyre për secilin prej futbollistëve pjesëmarrës. Puna në seleksionimin e talenteve vazhdon me grumbullimin e radhës në Pejë me futbollistët nga shkollat e futbollit të Rajonit të Pejës.