12 shkurt, 2020 – Feronikeli është skuadra e fundit gjysmëfinaliste e Digitalb Kupës së Kosovës. Skuadra nga Drenasi shënoi fitore në ndeshjen e sotme kundër Lirisë, që u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, me rezultat 0:2. Deri te kjo fitore Feronikeli arriti me mjaft vështirësi, duke pasur parasysh faktin se rezultatin arriti ta zhbllokojë vetëm në minutën e 88-të, kur Besmir Bojku realizoi nga afërsia me kokë pas harkimit të Mendurim Hotit. Ndërkohë, vetëm dy minuta më vonë mysafirët fituan penallti. Gjuajtjen e Mendurim Hotit e priti Drilon Hodaj, por topin e dëbuar prej tij Hoti e dërgoi në rrjetë për rezultatin përfundimtar 0:2. Kësisoj, në gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës do të luajnë Prishtina, Feronikeli, Drenica dhe Ballkani.