19 shtator, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera të javës së 5-të në Ipko Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Feronikeli, ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Flamurtarin, me rezultat 2:1. Të dy golat për Feronikelin i shënoi Mendurim Hoti, derisa golin e vetëm për kuqezinjtë e kryeqytetit e realizoi Shend Kelmendi. Do theksuar se të dyja skuadrat patën edhe disa raste të mira, ndër të cilat veçohen ajo e Lorik Maxhunit për mysafirët dhe ajo e Astrit Fazliut për vendasit, ku që të dyve golin ia mohoi shtylla. Ndeshje mjaft interesante u zhvillua edhe në stadiumin “Ferki Aliu” ku Vushtrria dhe Drenica barazuan 2:2. Kuqezinjtë ishin dy herë në epërsi, por vendasit nuk u dorëzuan dhe në fund dolën të pamposhtur nga ky takim. Golin e parë e shënoi Qemail Elshani. Shifrat i barazoi Matheus De Paula. Drenica e riktheu epërsinë me golin e Harmon, por në minutat e fundit vushtrriasit barazuan sërish me supergolin e Nertil Hoxhajt nga gjuajtja e lirë. Ndërkohë, Ferizaj ka arkëtuar tri pikë tejet të rëndësishme si mysafir në Klinë, duke e mundur Dukagjinin, me rezultat 1:0. Ndonëse ishin vendasit ata që sulmuan vazhdimisht, në minutat e fundit Edon Sadriu shënoi për fitoren e ferizajasve.