22 shkurt, 2020 – Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu po qëndrojnë për vizitë pune në Gjermani. Gjatë ditës së sotme krerët e FFK-së kanë vizituar Unionin e Bizneseve Shqiptare-Gjermane (UB) në Dyseldorf ku janë pritur nga kryetari i këtij unioni Nazmi Viqaj me bashkëpunëtorë. Me këtë rast është bërë edhe nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet FFK-së dhe UB-së, e ku të pranishëm ishin edhe konsulli Arian Kashtanjeva dhe përfaqësuesit e FFK-së në Gjermani, vëllezërit Shoshi dhe Fekmi Kongjeli, me iniciativën e të cilëve është realizuar kjo marrëveshje. Drejtuesit e UB-së i përgëzuan krerët e FFK-së për punën e mirë, të sinqertë dhe të drejtë, ku si rrjedhojë ky Union ka vendosur që ta përkrah FFK-në në projektet e saj. Kryetari i UB-së Nazmi Viqaj dhe anëtarët e kryesisë Gani Nuha, Bekim Bytyqi e Vëllaznim Kelmendi e pëlqyen projektin e lansuar nga presidenti Ademi për 100 fusha të stërvitjes në Kosovë dhe u zotuan se bashkëpunimi dypalësh do të jetë korrekt, i sinqertë dhe i menjëhershëm. Ademi dhe Salihu falënderuan UB-në që e kanë zgjedhur pikërisht FFK-në për partner dhe njëkohësisht falënderuan vëllezërit Xhevdet, Zija dhe Nexhat Shoshi si dhe Fekmi Kongjelin për organizimin dhe finalizimin e kësaj marrëveshjeje. Në fund, UB shtroi darkë për krerët e FFK-së dhe mysafirët e tjerë të pranishëm.