21 dhjetor, 2019 – Sot në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka filluar turneu i parë i lojërave elektronike “eEuro2020 – PES2020” në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës e me përkrahje të kompanitë “Xportal” dhe “Gjirafa50”. Kjo garë organizohet në nivel evropian nga UEFA në 55 anëtaret e saj. Në turneun e parë të këtij lloji në organizim të FFK-së marrin pjesë 128 lojtarë, të cilët gjatë dy ditëve do të luajnë me sistem eliminimi dhe në fund do të zgjidhen dy lojtarët më të mirë që do ta përfaqësojnë Kombëtaren e Kosovës në kualifikimet online që mbahen në muajin mars, derisa ekipet më të mira në fund do të marrin pjesë në turneun final të UEFA-s në Londër, më 9 e 10 korrik. Në hapje të këtij eventi ishin të pranishëm edhe krerët e FFK-së, presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. Ky i fundit në fjalën hapëse i urojë mirëseardhje të gjithë lojtarëve të regjistruar për këtë event. “Është kënaqësi e veçantë për ne që po fillojmë edhe me një event të tillë, të parin në histori të federatës tonë nën sistemin e UEFA-s, andaj dua t’ju përshëndes të gjithëve në emër të presidentit Ademi dhe gjithë KE të FFK-së që iu keni bashkuar kësaj gare. Po ashtu, falënderoj edhe stafin tonë në krye me Dardanin dhe Gentin që kanë bërë një punë voluminoze për organizimin e këtij eventi, e të cilët kanë gjetur mirëkuptimin dhe përkrahjen edhe te XPortal dhe Gjirafa 50. Shumë të rinj tanë krahas futbollit aktiv luajnë edhe lojëra të tilla elektronike, e të gjithë e dimë se tashmë edhe lojtarët më të mëdhenj si Messi e Ronaldo luajnë futboll në ‘play-station’ dhe kjo në fakt është shndërruar në një pasion të të rinjve. Prandaj, të gjithë pjesëmarrësve iu uroj sukses dhe besoj se në fund fitues do të dalin më të mirët që do ta përfaqësojnë Kosovën në garën e Londrës”, ka theksuar Salihu. Ndërkaq, përgjegjësi i këtij eventi, Dardan Sadiku ua ka shpjeguar lojtarëve procesin e këtij eventi dhe ka bërë të ditur se fituesit e kësaj gare do të marrin si shpërblim sony-playstation, një fanellë të Kombëtares së Kosovës dhe një top. Turneu nisi me një ndeshje jashtë konkurrence në të cilën u përballen dy lojtarët e Superligës, Armend Thaçi dhe Përparim Islami, e në të cilën fitores iu gëzua ky i fundit. Futbollisti i Feronikelit u shpreh i lumtur që iu dha mundësia për ta hapur këtë event dhe iu urojë pjesëmarrësit për sukses. “Loja ishte shumë e mirë edhe pse sigurisht ka 10 vite që s’kam luajtur ‘play-station’. Për mua presioni si në fushë si në lojën elektronike ishte i njëjtë, sepse gjithmonë kam dëshirë të fitoj”, ka thënë Përparim Islami. Ndërkaq,  mbrojtësi i Prishtinës, Armend Thaçi u shpreh: “Ndeshja jonë nuk ishte konkurruese, por vërtet ishte kënaqësi që ishim pjesëmarrës të këtij eventi. Normalisht se shumë më vështirë është të luash në fushën e lojës, pasi presioni për rezultat është i madh, derisa këtu ishte një lojë për argëtim. Nuk jam ndonjë person që luan shpesh lojëra elektronike, por kur bëhemi bashkë shoqëria luajmë dy kundër dy”. Në anën tjetër njëri nga garuesit e këtij eventi Leon Shala u shpreh i lumtur që tashmë edhe FFK-ja ka nisur me organizimin e këtij lloji turneu. “Ky event është mundësi shumë e mirë për ‘gamerat’ që luajnë PES. Është një lojë shumë e mirë dhe kush fiton në këtë turne e ka mundësinë të luajë në kualifikimet online dhe më pas edhe të shkojë në turneun final në Londër. Personalisht e nisa mirë turneun dhe pres të vazhdoj kështu. Pretendoj të jem fitues i turneut, por ka lojtarë të mirë dhe sigurisht se ky turne do të jetë shumë sfidues”, ka thënë Shala. Ky event do të vazhdojë edhe nesër me 64 pjesëmarrësit e tjerë.