23 shtator, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera të javës së 6-të në Ipko Superligë. Llapi dhe Ballkani kanë shënuar fitore me rezultate bindëse, derisa Drenica arriti fitore me rezultat të ngushtë si mysafire në Ferizaj. Llapi është treguar i pamëshirshëm në duel me Flamurtarin në kryeqytet, duke e mundur me rezultat 5:1. Serinë e golave për llapjanët e nisi Mërgim Pefqeli në minutën 12-të, kurse vetëm një minutë më vonë Mentor Zhdrella shënoi për 2:0.

Epërsinë e trefishoi Blendi Memaj në minutën e 45-të. Kuqezinjtë arritën ta ngushtojnë epërsinë e mysafirëve në fillim të pjesës së dytë kur shënoi Angel Granchov. Megjithatë, llapjanët nuk u ndalën dhe deri në fund të ndeshjes shënuan edhe dy herë. Blendi Memaj e shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për llapjanët në minutën e 65-të, derisa Granchov shënoi autogol në minutën e 77-të për rezultatin përfundimtar, 1:5.

Fitore me shifra bindëse shënoi edhe Ballkani në duel me Vushtrrinë. Golat për skuadrën nga Suhareka i shënuan  Visar Berisha (16’, 60’), Jetmir Topalli (48’), Arbër Hoxha (70’) dhe Ermal Krasniqi (89’), derisa për vushtrriasit shënuan Drilon Fazliu (40’) dhe Paolo Matheus (85’).

Ndërkohë, Drenicës i ka mjaftuar një gol për t’i arkëtuar tri pikë si mysafire në duel me Ferizajn (1:0). Golin e vetëm të kësaj ndeshjeje e shënoi Arbios Thaçi, në minutën e fundit të pjesës së parë.