22 korrik, 2020 – Drita do ta përfaqësojë futbollin e Kosovës për herë të dytë në parakualifikimet për Ligën e Kampionëve, pasi pas ndeshjeve të javës së 32-të e ka siguruar titullin e tretë të kampionit në histori të klubit. Skuadra e Dritës, dje shënoi fitore kundër Drenicës (1:0), derisa barazimi i sotëm i ndjekësve më të afërt Gjilanit dhe Ballkanit (2:2) bëri që skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu matematikisht ta sigurojë titullin e kampionit një javë para përfundimit të kampionatit në Ipko Superligë. Në fakt, ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit prodhoi lojë të fortë dhe me raste të shumta, por jo edhe fitues. Ballkani e dominoi lojën në pjesën e parë, duke krijuar një mori rastesh, por ishin gjilanasit të cilët e gjetën rrugën e golit në minutën e 42-të, kur realizoi Kushtrim Shabani. Megjithatë, edhe në pjesën e dytë Ballkani u tregua më i rrezikshëm dhe arriti të brenda tre minutash ta përmbysë rezultatin me golat e Mirlind Dakut (73’) dhe Jetmir Topallit (75’). Kur dukej që skuadra nga Theranda do t’i arkëtonte pikët e plota nga ky takim dhe gjithçka rreth kampionit do të vendosej në ndeshjen e fundit Ballkani – Drita, në minutat shtesë Keita Razak shfrytëzoi mundësinë e krijuar dhe me gjuajtje nga distanca barazoi për shifrat 2:2. Ky gol ia siguroi një pikë të vlefshme Gjilanit në luftën për pozitën e dytë që dërgon në kupat evropiane, por njëherësh ia siguroi edhe Dritës titullin e kampionit. Në ndeshjet e tjera, Prishtina fitoi bindshëm në duel me rivalin e qytetit, Flamurtarin, teksa Trepça’89 arkëtoi tri pikë të mëdha të shpresës për mbijetesë në Drenas, duke e mundur Feronikelin 2:1. Me të njëjtin rezultat u mbyllën edhe dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, Llapi – Ferizaj (2:1) dhe Dukagjini – Vushtrria (2:1).