skiftSkuadra e Gjilanit ka realizuar fitoren e tretë radhazi në edicionin e ri në Raiffeisen Superligë. Pas fitoreve ndaj Dritës dhe Lirisë, skuadra e Sadat Pajazitit ka arkëtuar tri pikë edhe në Skenderaj, në duel me Drenicën, me rezultat 2:1, në ndeshjen hapëse të javës së tretë. Për Gjilanin kjo ishte fitorja e parë në ballafaqimet me Drenicën në Skenderaj. Gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 14-të, me golin e Gëzim Rusit, pas asistimit të Isa Eminhazirit. Drenicasit arritën të barazojnë shifrat në minutën e 32-të, kur kapiteni Sami Geci shënoi nga pika e bardhë. Pas këtij goli drenicasit luajtën dukshëm më mirë dhe patën disa raste të mira shënimi. Mirëpo, gjilanasit edhe pse në pjesën e dytë luajtën me një lojtar më pak arritën që në minutën e 77-të të shënojnë golin e fitores, kur Besnik Krasniqi, shënoi nga gjuajtja e lirë.