8 dhjetor, 2017 – Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nën drejtimin e presidentit z. Fadil Vokrri, ku u diskutua për shumë çështje me rëndësi dhe interes për futbollin e  Kosovës.  KE analizoi garat e stinorit vjeshtor dhe u konstatua se garat kanë pasur një rrjedhë të kënaqshme si dhe ka një përparim të dukshëm, duke u nisur nga cilësia e garave, organizimi i klubeve dhe i ndeshjeve. Kështu ka një avancim  të dukshëm dhe vërehet një angazhim dhe përkushtim  i klubeve në përgatitjen e fushave për lojë e kjo duhet të vazhdojë edhe më tutje. Stinori pranveror do të nisë me ndeshjet e rrethit të katërt të Digit Alb Kupës së Kosovës më 13 shkurt, 2018, derisa garat kampionale në Vala Superligë nisin më 17 shkurt, 2018. KE caktoi edhe Komisionin për shpalljen e laureatëve për Vitin 2017, që do të organizohet më 12 janar 2018 në orën 17.00 në hotel “Emerald”. Komisioni do të jetë në këtë përbërje: Agim Ademi kryetar, Vjollcë Krasniqi dhe Xhelal Broja, anëtarë.  KE i FFK-së me qëllim të ndihmës së klubeve në përmirësimin e infrastrukturës ka marrë vendim për realizimin e një projekti  ku do të investojë 1.2 milion euro te klubet e Superligës dhe më vonë edhe të Ligave tjera. Ky investim do të bëhet vetëm në bashkëpunim me Kuvendet komunale përkatëse të cilat do të participojnë me 50 për qind të mjeteve. FFK-ja do të nisë vizitat në të gjitha komunat bashkë me klubet në mënyrë që të bashkërenditen veprimet për realizimin e këtij projekti shumë të domosdoshëm. Po ashtu KE do të bëjë edhe hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.