26 dhjetor, 2019 – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot mbledhjen përmbyllëse për vitin 2019 nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Gjatë kësaj mbledhjeje KE shqyrtoi dhe analizoi punën dhe rezultatet e arritura, me ç’rast u vlerësua se 2019-ta ka qenë një vit shumë i mirë dhe i suksesshëm. Gjatë kësaj mbledhjeje u shqyrtua edhe zgjedhja e anëtarëve të KE-së nëpër regjionet e tyre.

Me këtë rast, KE kërkon që gara për zgjedhjen e anëtarëve të jetë e rregullt dhe e dinjitetshme, duke u respektuar rregulloret e LRF-ve, Statuti i FFK-së dhe rregullorja e Kuvendit të FFK-së. KE i FFK-së kërkon nga klubet dhe subjektet e tjera që japin delegatë në LRF, që të respektojnë afatet ligjore për dërgimin e delegatëve në Kuvendet e LRF-ve.

Po ashtu, KE i FFK-së u bën me dije të gjithë delegatëve që thyejnë rregulloret dhe përdorin nënshkrime të dyfishta se do të përjashtohen nga organizata e futbollit. KE i FFK-së kërkon rregullsi dhe uron që të ketë gara të rregullta zgjedhore në LRF.

Në këtë mbledhje u caktuan objektivat kryesor për vitet në vijim dhe detyrat në vazhdimësi në vitin 2020.

KE i FFK-së ua uron festat e fundvitit të gjitha klubeve, udhëheqësve të klubeve, futbollistëve, ekipeve nacionale, gjyqtarëve e zyrtarëve tjerë të futbollit, mediave, komisioneve të federatës, institucioneve relevante dhe të gjithë opinionit të gjerë futbolldashës bashkë me Dardanët, duke u dëshiruar të gjitha të mirat në vitin 2020.