25 shkurt, 2020 – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE analizoi rrjedhën e garave në Ipko Superligë dhe Ligën e Parë duke konstatuar se deri më tani garat po rrjedhin mirë e me dinamikën e paraparë hiq disa rasteve të kontestuara dhe së këndejmi i kërkon Komisioneve të FFK-së t’i trajtojnë me seriozitet dhe profesionalizëm dhe të marrin masat e duhura. Po ashtu KE analizoi edhe punën e zyrtarëve në ndeshje dhe Komisioneve e ku u tha se zyrtarët në ndeshje përkatësisht delegatët të jenë në nivelin e detyrave, duke konsideruar se ata përfaqësojnë FFK-në në ndeshje. Ndërkaq, duke analizuar punën e Komisioneve, konstatoi se ata deri më tash po i zbatojnë mirë detyrat, por KE u kërkon atyre angazhim edhe më të madh në vazhdim duke pasur parasysh rëndësinë dhe rolin e tyre në mbarëvajtjen e garave. KE shqyrtoi edhe përgatitjet për ndeshjen e Kombëtares A të femrave kundër Rusisë që do të zhvillohet në Gjermani dhe konstatoi se janë marrë të gjitha hapat e duhura për mbarëvajtje të saj. KE shqyrtoi edhe kërkesat e parashtresat drejtuar atij.