31 janar, 2020 – Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e garave të stinorit pranveror, sot, në selinë e FFK-së, Komisioni i Garave në përbërje Abdyl Bellopoja, Isak Ejupi e Agim Kastrati, ka mbajtur seminarin me delegatët e Ipko Superligës dhe Ligës së Parë. Fillimisht para delegatëve është mbajtur ligjërata obliguese e UEFA-s kundër kurdisjes së ndeshjeve nga zyrtari për integritet në FFK, Ejup Osmani. Ai me këtë rast ka kërkuar nga delegatët e ndeshjeve që të jenë syçelë dhe çdo dyshim për rezultat të kurdisur të një ndeshje ta paraqesin në raportin e tyre, ngase në këtë mënyrë do ta kryejnë punën e tyre me përgjegjësi dhe njëherësh do të ndihmojnë në parandalimin e kësaj dukurie. Tutje z. Osmani ka bërë me dije se tashmë manipuluesit e tillë të kurdisjeve janë paraqitur edhe në futbollin e Kosovës, prandaj sipas tij është e domosdoshme që ky fenomen të luftohet bashkërisht. Më pas për ndryshimet në procesverbalin e ndeshjeve ka folur Adem Çollakaj, derisa gjatë seminarit janë diskutuar lëshimet e ndodhura në stinorin vjeshtor dhe janë shkëmbyer përvojat me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të organizimit të ndeshjeve. Ndërkohë, anëtarët e KG-së kanë kërkuar mobilizim maksimal nga delegatët për fillim të mbarë dhe ecuri sa më të mirë të garave në stinorin pranveror.