3 dhjetor, 2019 – Sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, është hedhur shorti për garën e re Liga e Kombeve U19, ku Kosova ka mësuar kundërshtarët e këtij formati të ri të futbollit evropian. Kombëtarja e Kosovës U19 (gjenerata 2003) është përfshirë në Ligën C, në grupin C1, së bashku me Armeninë, Luksemburgun dhe Estoninë. Turneu kualifikues mbahet prej 2 deri më 8 shtator në Estoni, derisa ky format i ri zhvillohet në tri liga A, B dhe C dhe është i ndarë në katër faza derisa të arrijë në finalen e ligës në korrik të vitit 2022 që do të mbahet në Sllovaki.

Ndërkohë, po sot është hedhur edhe shorti për kualifikimet e rregullta të Kampionatit Evropian 2021 për kombëtaret U-19 (gjenerata 2002). Dardanët në këtë garë janë përfshirë në Grupin 1 ku bëjnë pjesë edhe Italia, Sllovakia dhe Qipro. Turneu i fazës së parë kualifikuese zhvillohet në Sllovaki prej 11 deri më 17 nëntor, 2020. Në këtë fazë janë 13 grupe me nga 4 skuadra.