6 mars, 2020 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje nga Rusia, me rezultat 5:0 në ndeshjen e zhvilluar sonte në “Brita Arena” në Wiesbaden, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2021. Ndeshja nisi keq për Dardanet, të cilat qysh në minutën e parë pësuan gol, kur topi i devijuar nga Fjolla Shala përfundoi në rrjetën e portës sonë. Në minutat në vazhdim erdhi në shprehje përvoja dhe cilësia e ruseve, të cilat e dominuan lojën teksa në minutën e 33-të e shënuan edhe golin e dytë nëpërmjet Nelli Korokvinas. Edhe pjesën e dytë ruset e nisën furishëm, duke shënuar tre gola tjerë të shpejtë. Fillimisht realizoi Nadezhda Smirnova në minutën e 47-të, e tre minuta më pas Marina Federova. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar e vendosi Smirnova me golin e saj të dytë në minutën e 53-të. Përkundër rezultatit të thellë Dardanet vazhduan të angazhohen maksimalisht në fushë në synimin për të shënuar së paku një gola për t’i nderuar qindra bashkatdhetarë tanë që përkundër temperaturave të ulëta kanë qëndruar deri në fund në mbështetje të futbollisteve. Nga afër ndeshjen e ndoqën edhe presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri, anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe personalitete tjera shqiptare që jetojnë e veprojnë në Gjermani. Presidenti Ademi me të arritur në hotel ekipi kombëtar i ka përshëndetur futbollistet duke i inkurajuar ato që të qëndrojnë me kokën lartë për sfidat e tjera. Kosova ndeshjen e radhës e luan më 10 mars kundër Sllovenisë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Rusia tani ngjitet në pozitën e dytë më 9 pikë, derisa Kosova mbetet e katërta me 6 pikë.

Deklarata e përzgjedhëses Afërdita Fazlija pas ndeshjes:
“Realisht u pa që Rusia është nivel më i lartë se ne. Megjithatë mund ta konsiderojmë edhe si një ditë të pafat. Morëm gol në minutën e parë nga një aksion i paqenë. E njëjta situatë ndodhi edhe te goli i dytë. Është problem kur ke përballë një kundërshtar që ka nivel më të lartë dhe ta nisësh ndeshjen me një gol. Kjo na ndodhi neve. Lojtaret u përpoqën të bëjnë diçka në vazhdim, por për çudi disa pika të forta që i kemi sonte dështuan. Me një fjalë morëm gola nga asgjëja. Përkundër që edhe në disa periudha edhe ne krijuam raste, u pa që përvoja e bënë të veten dhe neve si ekip i ri na mbetet të vazhdojmë të punojmë shumë. Nuk mendoj që loja ishte për t’i pësuar pesë gola, por ja që në futboll ndodh kjo. Gjithsesi, duhet ta kuptojmë se kjo është rruga e kombëtareve të vogla, këto janë sfidat që duhet t’i kalojmë. Tash na mbetet që të mobilizohemi për ndeshjen me Slloveninë dhe të japim më të mirën tonë”

Kosova – Rusia 0:5
Stadiumi “Brita Arena” – Wiesbaden
Shikues: disa qindra
Gjyqtare: Henrikke Nervik, Monika Lokkeberg dhe Line C. Nymon (Norvegji)
Kartonë të verdhë: Mashkova, Samoylova.
Shënuese: Fjolla Shala 1’, Nelli Korokvina 33’, Nadezhda Smirnova 47’, 53’, Marina Federova 50’.
Kosova: Besarta Leci (Florentina Kolgeci), Fjolla Shala, Donjeta Halilaj, Liridona Syla, Besarta Hisenaj, Blerta Shala, Valentina Limani, Edona Kryeziu (Flutër Agaj), Besjana Reçica, Erleta Memeti, Modesta Uka (Leonora Ejupi).
Rusia: Viktorya Nosenko, Anna Kozhnikova, Alina Myagkova, Natalia Perepechina (Darya Yakovleva), Alsu Smirnova, Anna Belomyttseva, Kristina Mashkova (Lina Yakupova), Elina Samoylova, Marina Federova (Natalya Mashina), Nelli Korovkina.