13 nëntor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës U19 i ka nisur me barazim kualifikimet për Kampionatin Evropian “Irlanda e Veriut 2020”, që po mbahen në Uells në kuadër të Grupit 5. Dardanët e drejtuar nga Ramiz Krasniqi kanë barazuar me Rusinë, me rezultat 1:1, në një ndeshje mjaft të fortë dhe me angazhim maksimal të të dyja palëve. Të parët në epërsi kaluan futbollistët tanë në minutën e 11-të, kur Adonis Aliu shënoi një gol me mjeshtëri me parabolë në përballje me portierin rus. Megjithatë, gëzimi i Dardanëve zgjati vetëm një minutë, pasi rusët pas një aksioni nga krahu i djathtë arritën të barazojnë shifrat me golin e Igor Shkolik nga brendësia e zonës. Në vazhdim të ndeshjes ishin rusët që sulmonin më tepër, por futbollistët tanë u treguan shumë të vëmendshëm dhe e administruan mjaft mirë lojën. Madje, në minutën e 86-të Prapashtica për pak nuk shënoi, kur shtylla ia mohoi golin e fitores. Kësisoj, në fund Dardanët e rinj iu gëzuan një pike në këtë duel tejet të vështirë. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Uellsi e mposhti Poloninë, me rezultat bindës 3:0. Ndeshjen e dytë Kosova U19 e zhvillon kundër Polonisë, më 16 nëntor, derisa ndeshjen e fundit kundër Uellsit, më 19 nëntor.