28 gusht, 2020 – Presidenti Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit, Bakir Burri, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu dhe drejtuesve të tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha e Arben Zhjeçi janë pritur sot nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale rreth pandemisë, për gjendjen në futbollin e Kosovës si dhe për dy ndeshjet e radhës që Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë në Parma dhe kundër Greqisë në Prishtinë. Gjithashtu u diskutua edhe për pengesat dhe dëmin që ju shkaktua ekipeve tona në Evropë.

Presidenti Ademi e njoftoi kryeministrin për punën që po bëhet nga FFK rreth përgatitjeve për këto dy ndeshje, por edhe për fillimin e kampionatit të ri që është planifikuar të nisë më 12 shtator. Së këndejmi, presidenti Ademi kërkoi nga kryeministri Hoti që në konsultim me institucionet shëndetësore të krijojë mundësi për lejimin e stërvitjeve dhe aktiviteteve për klubet dhe shkollat e futbollit. Tutje, në këtë takim u bisedua edhe për infrastrukturën dhe për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe Qeverisë në krijimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë me qëllim të avancimit të futbollit tonë, me ç’rast u kërkua investim për rregullimin e stadiumeve të qyteteve dhe klubeve, si dhe menaxhimi i objekteve sportive, veçmas i stadiumit “Fadil Vokrri”, si stadiumi i vetëm i zhvillimit të ndeshjeve të Kombëtares.