31 dhjetor, 2019 – Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu janë pritur sot për fundvit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjatë këtij takimi krerët e FFK-së prezantuan projektin e zgjerimit të stadiumit “Fadil Vokrri” dhe u dakorduan me kreun e kryeqytetit për ta realizuar atë. Të dyja palët do të takohen në fillim të vitit 2020 për ta bërë agjendën në realizimin e projekteve të përbashkëta. Me këtë rast, presidenti Ademi e dekoroi kryetarin e komunës Ahmeti me mirënjohje të veçantë për kontribut në sport, pasi ky i fundit dha lejen për ndërtimin e stadiumit në Hajvali, dha lejen për ndërtimin e Shtëpisë së Futbollit, si dhe ofroi përkrahjen e plotë për renovimin dhe menaxhimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Bashkëpunimi ndërmjet dy palëve do të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte tjera, që për synim do të kenë ngritjen e futbollit dhe zhvillimin e klubeve të futbollit në komunën e Prishtinës.