20 mars, 2020 – Presidenti i FFK-s, Agim Ademi ka vazhduar edhe sot vizitat në terren pas gjendjes emergjente si pasojë e përhapjes së koronavirusit Covid-19 edhe në vendin tonë. Kreu i FFK-së fillimisht ka qëndruar në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Ferizaj në shoqëri të anëtarit të KE-s, Ilaz Mjaku, ku kanë bashkëbiseduar me kryetarin e LRFF-së, Afrim Haliti dhe trajnerin e KF Ferizaj, Burim Çerkini. Më pas presidenti Ademi e ka vizituar edhe KFF “Vizioni” ku është pritur nga kreu i këtij klubi Qerim Shaqiri, derisa më pas ka vizituar edhe futbollistin e KF “Ferizaj”, Nermin Hajdareviq nga Tuzlla e Bosnjës e Hercegovinës.  Në këto vizita presidenti Ademi është interesuar për gjendjen shëndetësore të futbollistëve dhe punëtorëve sportivë të këtij regjioni si dhe për menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate nga klubet, derisa e ka shprehur gatishmërinë e tij dhe KE të FFK-së për t’i ndihmuar të gjithë ata që janë pjesë e futbollit dhe që do të kenë nevojë për ndihmë. Po ashtu, presidenti Ademi uroi që këtë situatë ta kalojmë sa më shpejt në mënyrë që t’i kthehemi normalitetit dhe fushës së gjelbër.

Më pas presidenti Ademi ka qëndruar për vizitë në KFF “Bazeli 2015” dhe në kompleksin sportiv “Bazel” në fshatin Rakaj të komunës së Ferizajt, ku është pritur nga pronari Ahmet Shora. Me këtë rast presidenti Ademi u dakordua me z. Shora që ky kompleks të shndërrohet në karantinë për sportistët në rast se paraqitet nevoja në situatën në të cilën po kalon vendi, ku të gjitha shpenzimet do t’i bartë FFK-ja. Presidenti Ademi theksoi se ky kompleks i plotëson të gjitha kushtet për karantinë për sportistët, me 70 shtretër, me restorant, me sallën stërvitore, ajrin e pastër dhe fushën e madhe për futboll. Edhe z. Shora u shpreh plotësisht i gatshëm që ta përgatisë këtë kompleks në shërbim të FFK-së dhe sportistëve.

Presidenti Ademi gjatë ditës e ka vizituar edhe KF “Vitia” nga komuna më e prekur dhe e izoluar për shkak të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kreu i FFK-së u interesua për gjendjen e futbollistëve dhe punëtorëve sportivë, si dhe u shpreh i gatshëm për të ndihmuar me gjithçka që është e nevojshme. Nga ana e tij pronari i klubit, Florent Emini e falënderoi dhe e çmoi përkushtimin e presidentit Ademi për kujdesin që po e shfaq në këto kohë të vështira dhe theksoi se kështu po e dëshmon edhe një herë se është një lider i vërtet i institucionit të futbollit dhe që kujdeset në çdo kohë për anëtarët e vet.

Pas Vitisë presidenti Ademi ka vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit në Gjilan, në shoqëri të anëtarit të KE-s, Naser Ajeti ku janë pritur nga kryetari i saj Malazog Hoxha me bashkëpunëtorë, derisa ka vizituar edhe futbollistët e huaj dhe trajnerin italian të përgatitjes fizike të SC “Gjilani”, Corrado Saccone. Po ashtu, presidenti Ademi gjatë ditës së sotme ka qëndruar për vizitë edhe në KF “Dardana”, ku është pritur nga drejtuesit e këtij klubi dhe ka bashkëbiseduar edhe me lojtarët e huaj. Në këto vizita kreu i FFK-së u ka dhënë kurajë atyre që këtë situatë të vështirë larg familjeve të tyre ta kalojnë me durim dhe me besim se shumë shpejt do t’i rikthehen futbollit dhe jetës normale.