25 tetor, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 12-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e Llapit ka shënuar fitore si mysafire në Skenderaj, duke e mposhtur Drenicën, me rezultat 2:1. Kjo fitore ia ka mundësuar llapjanëve që të kthehen në pozitën e parë në renditje. Llapi e nisi shumë mirë ndeshjen duke kaluar në epërsi qysh në minutën e 10-të, me golin e realizuar nga Egzon Sinani me gjuajtje me kokë pas harkimit të Mentor Zhdrellës. Epërsinë në 2:0 e shtoi Mirlind Daku, me golin e shënuar në minutën e 33-të. Genc Hamiti në minutën e 77-të e ngushtoi epërsinë e mysafirëve, duke vendosur njëherësh rezultatin përfundimtar të këtij takimi, 1:2. Ndërkohë, Prishtina ka arkëtuar një pikë si mysafire e Dritës, duke e mbyllur sfidën pa fitues dhe pa gola. Fitues nuk ka pasur as në Podujevë ku është zhvilluar ndeshja ndërmjet Flamurtarit dhe Trepçës’89. Flamurtari dy herë ishte në epërsi, por nuk arriti ta ruajë atë deri në fund. Ardit Jaupaj shënoi për 1:0 në minutën e 28-të. Shifrat i barazoi Shpëtim Idrizi nga gjuajtja e lirë, por Ardit Jaupaj e riktheu sërish epërsinë e Flamurtarit me golin e tij të dytë në minutën e 58-të. Ndërkohë, Trepçën’89 nga humbja e shpëtoi Oto John, me golin e shënuar në minutën e 82-të, duke vendosur rezultatin final, 2:2.
 
Vala Superliga
Flamurtari – Trepça’89    2:2
Drita – Prishtina     0:0
Drenica – Llapi        1:2
Liga e Parë
Ramiz Sadiku – Vitia          1:1
KEK-u – Trepça       2:0
Hajvalia – 2 Korriku            0:0
Rahoveci – Onix      0:1
Bashkimi – Fushë Kosova 2:1
Ballkani – Dukagjini           3:0
Kosova – Ferizaj     1:2
Kika – Vushtrria      0:9