ffk-llogofin
16 gusht, 2016  – Sot u mbajt një takim me kontrollorë e vëzhgues (delegatë) para fillimit të edicionit të ri të garave. Në këtë takim ishin të pranishëm nënkryetari i FFK-së, z. Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm z. Erolla Salihu, Adem Çollakaj, zyrtar për licencim, Përparim Hasani kryetar i Komisionit  për Gjyqtarë, Ismet Ahmeti, Komisar i Garave dhe Ismet Shurdhani kryetar i Këshillit Profesional i Gjyqtarëve. Duke i përshëndetur të pranishmit, nënkryetari i FFK-së Agim Ademi ka folur për detyrat që e presin FFK-në me këtë rast edhe segemnetin e kontrollorëve dhe vëzhguesit pas pranimit të plotë në UEFA dhe FIFA. Ndërkaq, sekretari Eroll Salihu u ka treguar për programet dhe projektet që i mbështet UEFA dhe FIFA, por kërkohet  punë dhe angazhim. Kontrollorëve dhe vëzhguesve u është kërkuar që të rrisin angazhimin e tyre dhe të ecin në hap me kohën e ndryshimeve dhe se për këtë do të kenë seminare të shumta në mënyrë që të bëhet profesionalizimi i tyre. U tha se në kampionatin e ri nuk do të ketë mirëkuptim për gabimet. Nga ana e tyre  kontrollorët dhe vëzhguesit premtuan se në kampionatin e ri do të angazhohen maksimalisht dhe në përputhje me normat dhe standardet e UEFA-s dhe  FIFA-s.