Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore,

Familje të heronjve e të dëshmorëve,

Invalidë e veteranë të luftës;

Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Sot e festojmë Ditën e Pavarësisë – 12-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

Beteja për çlirim e pavarësi ishte sa e gjatë, po aq e vështirë. Si popull kaluam nëpër shumë vuajtje e sakrifica, deri në flijim të mijëra njerëzve, në mesin e të cilëve edhe futbollistë e punëtorë të tjerë sportivë. Natyrisht, gjakut të heronjve e dëshmorëve do t’i përkulemi dhe do t’u jemi falënderues përherë, ngase falë trimërisë së tyre, ne sot po i jetësojmë ëndrrat tona edhe në futboll.

Tani jemi në një fushëbetejë tjetër, atë të arritjes së suksesit në futboll, sport ky i cili ka kohë që ka pushtuar zemrat e njerëzve kudo në botë. As kjo betejë nuk është e lehtë, por falë përkushtimit dhe profesionalizmit të djemve tanë, që me aq krenari po e bartin fanellën e Kombëtares, gjithçka po bëhet më e lehtë.

Jemi në metrat e fundit të kësaj beteje. Kanë mbetur t’i kalojmë vetëm edhe dy pengesa për ta shkruar me shkronja të arta vitin 2020 në historinë e futbollit tonë. As Maqedonia e Veriut, por as kundërshtarët potencialë të finales së madhe, Gjeorgjia e Bjellorusia, nuk janë të lehtë për t’u kaluar, por me vetëbesim, me profesionalizëm, me disiplinë e kurajë, si dhe me dëshirën e madhe që kemi besoj fuqishëm se ëndrrën mund ta bëjmë realitet.

Duke qenë krenar me atë çfarë kemi arritur deri më sot, përfitoj nga rasti që në këtë ditë të veçantë t’ju shpreh përgëzimet e mia për 12 vjet shtet, me urimin që në këtë përvjetor ta shijojmë edhe gëzimin e kualifikimit në Euro 2020. 

Së bashku drejt realizimit të sukseseve!

Vazhdojmë me përgjegjësi e krenari!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së