ffk-llogofinSot më 2 tetor Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e Fadil Vokrrit kryetar, ku debatoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. KE shqyrtoi dhe analizoi rrjedhën e deritashme të kampionatit dhe konstatoi se garat në të gjitha rangjet janë duke shkuar sipas dinamikës. Po ashtu në bazë të parametrave u konstatua një disiplinë e mirë e futbollistëve, por KE shpreh shqetësimin për sjellje jo sportive dhe reagimet pa asnjë bazë të disa trajnerëve që pastaj po reflekton tek i gjithë ekipi. Duke u nisur nga fakti se FFK-ja është në prag të pranimit në mekanizmat ndërkombëtar dhe e vetëdijshme se monitorimi nga ana e tyre është i shtuar në këtë kohë, u kërkon të gjithëve që të kenë kujdes dhe të sillen në nivelin që kërkon detyra dhe roli i të gjithëve. KE mbështet gjyqtarët e futbollit të Kosovës në punën e tyre që po e kryejnë në mënyrë profesionale, duke i ftuar të vazhdojnë të kontribuojnë në mbarëvajtjen e garave. KE shqyrtoi edhe raportin e vizitës së kryetarit të FFK-së Fadil Vokrri dhe sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu në Maltë. Kryetari Vokrri i njohu anëtarët e KE për këtë vizitë dhe për kontaktet e shumta që kanë pasur gjatë qëndrimit atje si mysafirë të UEFA-s. Për herë të parë krerët e FFK-së ishin bashkë me krerët e federatave evropiane të futbollit që flet shumë për një qasje të re ndaj FFK-së.  Sigurisht se FFK-ja është e kënaqur me mbështetjen dhe vullnetin që ka treguar kryetari i UEFA-s Michel Platini bashkë me KE, të cilët morën vendim që çështja e pranimit të Kosovës të vihet në rend të ditës në kongresin e ardhshëm të UEFA-s që do të mbahet në mars të vitit 2016. Po ashtu KE analizoi përgatitjet për zhvillimin e ndeshjes miqësore ndërkombëtare me Përfaqësuesen e Guinesë Ekuatoriale për të cilat u tha se po shkojnë sipas programit.