26 shtator, 2019 – Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë zhvilluar sot një takim me shefin e edukimit të UEFA-s për zhvillimin e elitës U15, Jean Francois Domergue, e ku ishin të pranishëm edhe përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes dhe drejtori teknik Michael Nees. Gjatë këtij takimi u bisedua për strategjinë e FFK-së për kategoritë e reja, përfshirjen e shkollave dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të futbollit. UEFA e ka pranuar në tërësi programin strategjik të FFK-së, i cili është vlerësuar si projekt i shkëlqyeshëm dhe tani do të fillojë zbatimi i tij në përpikëri. Gjatë këtij takimi z. Domergue u zotua se do ta përkrahë dhe do ta ndihmojë FFK-në në realizimin e këtij projekti, që sipas tij është shembull për regjion. Po ashtu, në emër të UEFA-s, z. Domergue lavdëroi zhvillimin e hovshëm të FFK-së dhe theksoi se UEFA është e kënaqur për zhvillimin dhe realizimin e këtyre projekteve. Shefi i edukimit të UEFA-s gjatë ditës së nesërme do të vizitojë disa qytete të Kosovës për të parë se si po aplikohet në praktikë kjo strategji e FFK-së.