4 mars, 2020 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka mbajtur edhe stërvitjen e dytë në Wiesbaden në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Rusisë, derisa në orët e mbrëmjes vashat dardane i ka vizituar presidenti Agim Ademi, në shoqëri të nënkryetarit Bakir Burri, anëtares së KE-së, Vjollca Krasniqi, sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu dhe trajnerit të Kombëtares A, Muharrem Sahiti. Me këtë rast presidenti Ademi i ka përshëndetur futbollistet dhe stafin e Kombëtares duke iu dëshiruar paraqitje sa më të mirë në ndeshjen e radhës. “Tashmë ju e keni krijuar një grup homogjen dhe jeni të vetëdijshme për rëndësinë që e ka fanella e Kombëtares. Në ndeshjet e deritashme e keni dëshmuar sesa me krenari e bartni këtë fanellë, andaj ne presim nga ju që të leni përshtypje sa më të mira edhe në vazhdim të këtij kompeticioni. Pra, ju inkurajoj që të luani lirshëm e pa presion pa marrë parasysh forcën e kundërshtarit që do të keni përballë. Duhet ta ruani qetësinë dhe të luftoni maksimalisht për rezultate sa më të mira. Nuk kërkojmë nga ju që të jeni lider të grupit, por thjesht duam që ta vazhdoni ngritjen jo vetëm nga ana organizative, por edhe nga ana profesionale. Kam besim tek puna e shtabit teknik të Kombëtares dhe e vlerësoj shumë përkushtimin dhe kualitetin e juaj si futbolliste, andaj besoj se të premten do të kemi një paraqitje të mirë”, ka theksuar presidenti Ademi para futbollisteve, duke iu ofruar njëherësh mbështetje të vazhdueshme.