11 dhjetor, 2019 – Presidenti Agim Ademi gjatë mbrëmjes së sotme  e ka vazhduar traditën e organizimit të koktej të fundvitit me gazetarët e sportit. Në këtë pritje krahas presidentit Ademi ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe anëtarët e KE-së, Ilaz Mjaku, Bekim Rexhepi e Mirsad Çollaku. Me këtë rast presidenti Ademi shprehu falënderime për të gjitha mediat dhe gazetarët sportivë për rolin e tyre të rëndësishëm në pasqyrimin e punës së federatës dhe të sukseseve të Kombëtares së Kosovës. “Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për ne si federatë, ku Kombëtarja jonë i ka tejkaluar pritshmëritë, duke qenë kampione e grupit në Ligën e Kombeve si dhe duke qenë shumë afër kualifikimit direkt në Evropian nëpërmjet kualifikimeve të rregullta. Gjithsesi, përzgjedhësi Bernard Challandes dhe futbollistët meritojnë lëvdata për atë çfarë kanë arritur sepse nuk është pak për ne si një Kombëtare e re që qysh në ciklin e parë kualifikues për Evropian të jemi në pozitën e tretë dhe njëherësh me gjasa ende reale për kualifikim nëpërmjet ‘play-off’-it të Ligës së Kombeve”, ka theksuar presidenti Ademi. Tutje numri një i FFK-së i ka vlerësuar pozitive edhe paraqitjet e ekipeve tjera zinxhirë të kombëtares, si dhe rrjedhën e kampionatit, duke falënderuar me këtë rast të gjithë drejtuesit e klubeve dhe sponsorët, të cilët kanë bërë investime të mëdha dhe kësisoj kanë ndikuar në rritjen e organizimit dhe cilësisë së ligës. “Por e gjithë kjo punë voluminoze nga ana e federatës, kombëtares dhe e klubeve do të ishte e mangët nëse nuk do të pasqyrohej në mënyrën më të mirë nga ana juaj si media, prandaj e çmoj kontributin e secilit prej jush, pasi puna juaj ka bërë që sukseset tona të pasqyrohen në opinionin e brendshëm por edhe në atë ndërkombëtar. Për këtë arsye një pjesë të meritës për suksesin e Kombëtares ua dedikoj juve, sepse keni qenë gjithmonë afër Dardanëve dhe shumë konstruktiv. Prandaj, në emër timin dhe të KE të FFK-së ju falënderoj dhe iu dëshiroj suksese edhe në vitin e ardhshëm”, ka nënvizuar Ademi, i cili më pas ka shpërblyer me nga një orë dore për kontributin e dhënë ndër vite Milaim Krasniqin, Rexhep Shehun, Tahir Sopin, Fatmir Bytyqin, Florim Canollin dhe Driton Latifin, derisa edhe për gazetarët e tjerë janë ndarë dhurata modeste. Mirënjohës ndaj gazetarëve sportivë për punën e bërë dhe bashkëpunimin korrekt gjatë këtij viti është shprehur edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, i cili ka bërë edhe një rikapitulim të punës së suksesshme të administratës së FFK-së, teksa u ka uruar të gjithë gazetarëve sportivë festat e fundvitit dhe mbarësi në familjet e tyre.