11 dhjetor, 2019 – Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, sot, kanë organizuar një pritje për fundvit për ish-kryetarët e FFK-së dhe ish-përzgjedhësit e Kombëtares së Kosovës në periudha të ndryshme kohore. Të pranishëm ishin ish-kryetarët Agim Bytyçi e Sabri Hashani, ish-përzgjedhësit, Ajet Shosholli, Bylbyl Sokoli, Edmond Rugova e Albert Bunjaki, si dhe ndihmësi i përzgjedhësit aktual, Muharrem Sahiti. Ky takim u organizua në shenjë respekti për sakrificën dhe punën në kontiunitet të këtyre personaliteteve për të arritur deri në ditët e sotme, ku tashmë Kombëtarja e Kosovës ka arritur të luajë një rol të rëndësishëm në futbollin evropian dhe është vetëm 180 minuta larg suksesit historik – kualifikimit në Kampiontatin Evropian.


Ademi: Sukseset e deritashme, meritë e të gjithë kontribuesve të futbollit

Presidenti Ademi fillimisht shprehu falënderimet e tij dhe të KE të FFK-së për punën e secilit prej protagonistëve të periudhave të ndryshme, duke filluar nga kryetari i parë Agim Bytyçi, për të vazhduar me Rexhep Abdullahun, Sabri Hashanin, Fadil Vokrrin në krye të këtij institucioni, por edhe nga Ajet Shosholli si përzgjedhës i parë i krijimit të ekipit kombëtar e për të kaluar radhazi te Bylbyl Sokoli, Edmond Rugova e Albert Bunjaki.

“Kombëtarja e sotme po na bën krenar të gjithë neve dhe ka arritur ta sjellë futbollin tonë në pikën më të lartë prej ekzistimit të tij. Falë rezultateve të Dardanëve dhe punës sonë kemi arritur që futbollin ta kthejmë në sport familjar, ku njerëzit i shtyjnë edhe obligimet e tyre kur luan Kombëtarja, e cila po i jep kënaqësi mbarë kombit. Unë ndjehem i nderuar që jam në krye të këtij institucioni, por e them me sinqeritet të plotë se këto suksese nuk janë rezultat vetëm i punës sonë të tanishme, por thjesht meritat janë të të gjithë atyre që në periudha të ndryshme kohore kanë dhënë kontributin e tyre në FFK dhe në futbollin e Kosovës. Pra, sikur të mos ishte koha e mbijetesës, të cilën unë e quaj të artë, dhe që është unike, sepse nuk ka ndodhur askund tjetër në botë që për aq shumë vite në kushte të okupimit të bëhet një organizim i tillë, ne do ta kishim shumë më të vështirë të arrinim ku jemi sot”, ka thënë Ademi.

Presidenti Ademi theksoi se shumë shpejt FFK do të botojë një monografi për të përshkruar tërë periudhën dhe kontribuesit e futbollit të Kosovës deri në ditët e sotme, dhe për t’i falënderuar në veçanti ata që i dhuruan livadhet dhe arat e tyre për t’i shndërruar në fusha futbolli.

Bytyçi e Hashani: Nderimi për paraardhësit, vlerë e veçantë

Kryetari i parë i FFK-së, Agim Bytyçi u shpreh tejet falënderues për presidentin Ademi dhe sekretarin Salihu që po e ruajnë në vazhdimësi respektin dhe nderimin për ata që në të kaluarën e dhanë kontributin e tyre për formësimin e kësaj federate dhe të ekipit kombëtar të Kosovës.  “Kjo është një shenjë shumë e mirë, ngase po na respektoni për atë që kemi bërë. Periudha e fillimit tonë ka qenë e vështirë, por të tilla ishin rrethanat. Sidoqoftë të bashkuar arritëm të organizohemi dhe t’i çojmë proceset përpara. Kjo nismë e juaja duhet të shndërrohet në traditë dhe vazhdimisht të nderohen dhe mos të harrohen ata që kontribuuan për të arritur deri këtu ku jemi sot”, ka thënë Bytyçi.

Edhe ish-kryetari Sabri Hashani u shpreh mirënjohës për respektin që po tregojnë drejtuesit aktual të FFK-së, derisa përgëzoi ata për sukseset e deritanishme. “Është e vërtetë që secili prej nesh këtu, por edhe shumë të tjerë që ishin në role apo pozita të ndryshme kanë pjesë të meritave për sukseset e kësaj gjenerate të Kombëtares. Fakti që tashmë futbolli është kthyer si temë kryesore në çdo tryezë apo shtëpi dëshmon se është punuar drejt e mirë në kontiunitet, derisa Agimin e ka ndihmuar edhe të qenurit pjesë e futbollit dhe e federatës në vazhdimësi. Prandaj, ju përgëzoj për punën e bërë dhe njëherësh iu falënderoj të gjithëve për kontributin e dhënë ndër vite, me shpresë se gjithë kjo punë do të kulmojë me arritjen e Kosovës në Evropian”, ka thënë Hashani.

 

Sokoli: FFK ka nevojë për qetësi dhe mobilizim para dy ndeshjeve të marsit

Duke evokuar fazën e zanafillës së ekipit kombëtar të Kosovës në fillimvitet e 90-ta, Ajet Shosholli theksoi se populli që nuk e rikujton dhe respekton të kaluarën nuk ka ardhmëri. Prandaj, sipas tij është për t’u vlerësuar respekti që drejtuesit aktual të FFK-së kanë për gjeneratat e mëparshme. Ndërkaq, Bylbyl Sokoli theksoi se në vitet e okupimit është bërë ajo çfarë është dashur të bëhet dhe secilit i ka takuar të bëjë diçka për të jetësuar pavarësinë nga pushtuesi, derisa vazhdimësia e punës ka qenë çelës i suksesit. Duke folur për situatën aktuale, Sokoli theksoi se është e nevojshme që nga ky takim t’u bëhet thirrje të gjithëve se nuk është koha e destabilizimit të federatës. “Ditëve të fundit në mjetet e informimit e kemi shumë të shprehur përpjekjen për destabilitet në FFK dhe kjo e dëmton shumë futbollin tonë. Nuk dua të përcaktohem në atë se kush ka drejtë apo nuk ka, por duhet ta kemi parasysh se këto debate ndikojnë në harxhimin e energjisë dhe e dëmtojnë mobilizimin tonë para dy ndeshjeve historike që do t’i luajë Kosova në muajin mars. Andaj, vlerësoj se e kemi obiligim të gjithë ne që kemi dhënë kontrubut nëpër periudha të ndryshme që të bëjmë thirrje për qetësim të situatës sepse jemi në një periudhë të ndjeshme dhe kjo reflekton tek ekipi kombëtar dhe mund ta dëmtojmë synimin tonë. Situatat si këto që ishin ditëve të fundit e ndihmojnë vetëm Maqedoninë e Veriut, e cila lehtë mund të kualifikohet tutje pa lojë, por njëherësh i shkojnë përshtati edhe Serbisë, e cila vazhdimisht kundërshtimin e saj e ka përqendruar në atë se Kosova nuk di të mbajë institucione”, ka theksuar Sokoli.

Rugova: Nuk është koha t’i prishet imazhi futbollit të Kosovës

Ndërkohë, Edmond Rugova dhe Albert Bunjaki shprehën falënderimet e tyre për presidentin Ademi për respektin. “Historia jonë është e dhimshme, por jam shumë krenar që jam pjesë e vogël e këtij tregimi, për çka jam krenar dhe mburrem për tërë atë që kemi bërë së bashku. Sa i përket do thosha trazirave të kohëve të fundit rreth FFK-së mendoj se janë shumë të gabueshme dhe nuk kanë asnjë vlerë dhe asnjë bazë. Në kohën më të suksesshme të futbollit të Kosovës, në kohën kur Kombëtarja është duke arritur rezultate kulmore është shumë gabim që dikush të pretendoj t’i qesë hije të keqe federatës dhe futbollit të Kosovës“, është shprehur Rugova.

Edhe ish-përzgjedhësi Albert Bunjaku theksoi se ndihet i nderuar që ka qenë pjesë e dy gjeneratave – e asaj pa të cilën do të ishte vështirë që futbolli i Kosovës të ekzistonte sot si dhe gjeneratës së debutimit në arenën ndërkombëtare, ku përgjegjësitë ishin më të mëdha. “Mendoj se e kemi një përgjegjësi shumë të madhe secili prej nesh për të vazhduar me punë, jo vetëm për kualifikimin e Kombëtares në Euro 2020, sepse pak njerëz kanë besuar që Kosova do të vjen deri në këtë situatë, por thjesht duke iu dhënë besim njerëzve për ta zhvilluar futbollin dhe për të dhuruar lojëra atraktive në fushën e gjelbër. Konsideroj se jemi në një periudhë ku të gjithë duhet të jemi të bashkuar dhe ta shfrytëzojmë rastin që na është dhënë”, është shprehur Bunjaki. Në këtë bashkëbisedim të njerëzve të dhanë kontribut të çmueshëm për futbollin e Kosovës folën edhe Muharrem Sahiti dhe Eroll Salihu, të cilët vlerësuan lart kontributin e secilit prej ktyre akterëve në zhvillimin dhe ngritjen e futbollit tonë në këtë nivel çfarë është aktualisht, me shpresën që shumë shpejt do t’i gëzohemi suksesit historik. Në fund të takimit presidenti Ademi të gjithë pjesëmarrësve të këtij takimi u bëri dhuratë nga një orë me logon e FFK-së.