21 mars, 2020 – Presidenti Agim Ademi ka vazhduar edhe sot vizitat në terren për t’u interesuar për gjendjen e klubeve, të futbollistëve dhe punëtorëve sportivë pas përhapjes së koronavirusit Covid-19. Fillimisht kreu i FFK-së ka vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit në Prishtinë, ku është pritur nga Ismajl Ajeti dhe Bajram Krasniqi. Më pas presidenti ka vizituar KF “Flamurtari”, KF “KEK-u”, KF “Fushë Kosova” dhe KF “Feronikeli”, ku me drejtuesit e këtyre klubeve ka bashkëbiseduar për gjendjen e përgjithshme dhe është interesuar për shëndetin e futbollistëve në këtë periudhë, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të KE të FFK-së për të ndihmuar për çfarëdo që do të jetë e nevojshme. Gjatë pasdites presidenti Ademi ka qëndruar për vizitë në Lidhjet Rajonale të Futbollit në Pejë, në Gjakovë dhe në Prizren, ku me strukturat e futbollit të këtyre tri rajoneve ka bashkëbiseduar për gjendjen e futbollistëve dhe punëtorëve sportivë, si dhe e ka shprehur gatishmërinë për ndihmë në të gjitha aspektet. Presidenti ua ka bërë me dije bashkëbiseduesve se janë duke ndjekur më vëmendje situatën me koronavirusin Covid-19 dhe varësisht prej përhapjes së tij do të merren edhe masat dhe veprimet e ardhshme nga FFK-ja sa i përket mënyrës së vazhdimit të kampionatit. Ai shprehu bindjen se shumë shpejt do të kalohet edhe kjo sfidë dhe futbolli do t’i kthehet normalitetit dhe garës në fushën e gjelbër.
Edhe në këto vizita presidenti Ademi inkurajojë që kjo pandemi të luftohet pa panik dhe me kujdes.