14 mars, 2017 – Sot kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, ministri i MKRS-së Kujtim Shala, presidenti i FFK-së Fadil Vokri dhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, vizituan ngastrën kadastrale në Bernicë të poshtme, ku është paraparë të ndërtohet Stadiumi Kombëtar i futbollit të Kosovës. Me këtë rast Ibër Alaj drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS i njohu të pranishmit me planet që ka Ministria për përmirësimin dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive. “Këtu kemi një master plan për ndërtimin jo vetëm të Stadiumit Kombëtar por edhe një varg objektesh tjera sportive që do të përmbushin standardet ndërkombëtare.
Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri e njohu kryeministrin Mustafa dhe ministrin Shala për angazhimet që ka bërë FFK-ja për dy stadiumet e futbollit në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Presidenti  Vokrri, tha se nevojitet përmirësimi i infrastrukturës. “Kemi arritur të heqim bllokadën e sigurisë të vënë nga KFOR-i për stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe tash jemi duke bërë përgatitjet që të fillojnë punimet në këtë stadium në mënyrë që të përgatitet për ndeshje ndërkombëtare dhe që klubet tona, ato që arrijnë të kualifikohen për gara ndërkombëtare, të kenë ku të luajnë. Bashkë me MKRS-në do të investojmë në stadiumin “Adem Jashari”, ndërsa në stadiumin e Prishtinës punimet po vazhdojnë sipas dinamikës, ka theksuar Vokrri.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, tha se po punohet intensivisht që të përmirësohet gjendja e objekteve dhe infrastrukturës sportive, meqë është trashëguar një gjendje e patolerueshme. “Gjatë këtyre dy viteve ka pasur një përparim të dukshëm, por gjendja paraprake këtë e bënë të pamjaftueshme. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të rrisim investimet. Tani jemi të interesuar që investimet në Stadiumin e qytetit të Prishtinës dhe në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” të shkojnë sipas dinamikës së paraparë, në mënyrë që ne të arrijmë të finalizojmë ato punimet dhe klubet tona dhe kombëtarja jonë të mund të luaj ndeshjet ashtu siç janë planifikuar brenda Kosovës. Në stadiumin ”Adem Jashari” në Mitrovicë së bashku me FFK-në do të investojmë 1 milion e 600 mijë euro dhe ne për këta dy muaj e gjysmë besojmë se stadiumi do të jetë i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare”, ka theksuar ministri Shala.
Ndërsa kryeministri Isa Mustafa duke parë nga afër vendin në të cilin do të nisin punimet për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, shprehu shpresën se me ndërtimin e këtyre objekteve sportive do të konkurrohet jo vetëm në regjion, por do të konkurrohet dhe me vendet e Bashkimit Evropian. “Do të përplotësojmë të gjitha kriteret e UEFA-s dhe të FIFA-s. Si Qeveri më vjen mirë që kemi arritur që të përmbyllim disa investime në disa fusha dhe që kemi krijuar hapësirë tani që të merremi me sportin. Edhe organizatat sportive, edhe qytetarët, por edhe rinia e meritojnë që ne t’i japim përparësi themelore kësaj fushe dhe ne do të bëjmë maksimumin që të sigurojmë mjete qoftë nga buxheti, qoftë nga organizatat e tjera dhe vendet e tjera. Ka vija të tilla financiare të cilat ne i kemi hulumtuar deri më tani dhe mund t’i shfrytëzojmë që të ndërtojmë këtu stadiumin i cili do të plotësojë të gjitha kriteret e FIFA-s dhe UEFA-s, që të ndërtojmë edhe stadiume të tjera shtesë ose përcjellëse që do të jenë ndërlidhëse me këtë, që të përkrahim edhe dislokimin e Fakulteti të Edukatës Fizike në këtë pjesë”, ka thënë kryeministri Mustafa.