duka-ministri-vokrri1 nëntor, 2016 – Sot, në një ceremoni të zhvilluar në kabinetin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u nderua me mirënjohje për kontributin e dhënë për futbollin shqiptar dhe për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës.
Në këtë ceremoni, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ministri Kujtim Shala u shpreh se këtë mirënjohje ia japim presidentit Armand Duka për kontributin e madh që ka dhënë për futbollin shqiptar, e në mënyrë të veçantë për atë të Kosovës. Ai më tej u shpreh se ky është një akt simbolik, por që ka domethënie dhe shtoi se bashkëpunimi midis dy Federatave, duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, si deri më tani, në të mirë të futbollit.
Presidenti Armand Duka e falënderoi ministrin Kujtim Shala dhe FFK-në për mirënjohjen dhe theksoi: “Jam vërtet i emocionuar dhe kjo është dita më e lumtur e jetës time. Falënderoj me këtë rast ministrin Shala dhe kryetarin Vokrri për këtë nder që më afruan. Ne, jo vetëm që do ta forcojmë bashkëpunimin vëllazëror që kemi me njeri-tjetrin, por do të vazhdojmë të jemi një, e të punojmë bashkërisht me FFK për ecjen përpara të futbollit gjithëshqiptar.”
duka-ministri2 duka-ministri1
duka-ministri3