3 korrik, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 28-të në Ipko Superligë. Prishtina ka realizuar fitore tejet të vështirë në duel me Drenicën, me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Bardhekaltrit kanë arritur ta thyejnë rezistencën e kuqezinjve të Skenderajt vetëm në minutën e katërt të lojës shtesë, kur Ahmed Januzi shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Tun Bardhokut. Kjo fitore është shumë e rëndësishme për Prishtinën, e cila tashmë ka arritur në kuotën e 57 pikëve, duke e ndjekur hap pas hapi Dritën në garën për titull. Ndërkohë, Flamurtari ka lëshuar pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, teksa ka barazuar në Vushtrri, me rezultat 2:2. Të parët shënuan mysafirët me golin e Zeqirit në minutën e 7-të, por vushtrriasit reaguan shpejt, ngase vetëm katër minuta më vonë barazoi Fazliu. Flamurtari shënoi sërish në minutën e 36-të nëpërmjet Stullqakut, por as këtë herë nuk arriti ta ruajë epërsinë, ngase në minutën e 41-të baraspeshën në rezultat e riktheu Sie. Pas këtij barazimi, Flamurtari ka 37 pikë në pozitën e tetë, kurse Vushtrria mbetet me 17 pikë në pozitën 11 dhe pa gjasa për t’iu shmangur rënies nga elita.