22 shkurt, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 19-të në Ipko Superligë. Prishtina ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire në stadiumin ‘Bajram Aliu” në Skenderaj, duke e mposhtur Drenicën, me rezultat 3:1. Golat për bardhekaltrit e kryeqytetit i shënuan Oto John (13’), Ergyn Ahmeti (30’) dhe Ahmed Januzi (54’), derisa golin e vetëm për kuqezinjtë e Skenderajt e realizoi Coulibaly (80’). Pas kësaj fitore, Prishtina ngjitet në kuotën e 37 pikëve aq sa ka edhe Drita që kryeson renditjen së paku deri nesër. Fitore tejet të rëndësishme për ta ruajtur hapin me skuadrat e kreut ka shënuar edhe Llapi para tifozëve të vet në “Zahir Pajaziti”, duke e mundur kampionin në fuqi, Feronikelin, me rezultat 2:1. Ersil Ymeraj shënoi dy gola për fitoren e llapjanëve, derisa për skuadrën nga Drenasi golin e vetëm e realizoi Ilir Berisha. Pas kësaj fitoreje Llapi mbetet në pozitën e 6-të, por me 28 pikë, aq sa ka edhe Feronikeli në pozitën e pestë.