22 shtator, 2019 – Prishtina ka shënuar fitore në përballje me Gjilanin, në kuadër të javës së 6-të në Ipko Superligë. Ndeshja e zhvilluar këtë mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” u mbyll me rezultat 2:1. Të dyja skuadrat paraqitën lojë të mirë dhe me raste të shumta para portave.
Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 13-të me golin e realizuar nga Ergyn Ahmeti. Në pjesën e dytë gjilanasit ishin shumë këmbëngulës për ta gjetur golin e barazimit, por këtij qëllimi ia arritën vetëm në minutën e 84-t, kur Bedri Greca shënoi nga brendësia e zonës. Edhe në minutat e fundit u zhvillua lojë e hapur, ku të dyja palët synon golin e fitores, por që në fund fati i buzëqeshi Prishtinës. Luhej minuta e tretë shtesë kur Alban Shillova u lirua brenda zonës nga mbrojtësit gjilanas dhe me gjuajte të saktë e çoi topin në rrjetën e Haxhihamzës, për t’ia dhuruar tri pikë tejet të rëndësishme Prishtinës në vazhdimin e kampionatit. Me këtë fitore Prishtina tanimë ka 7 pikë, derisa në mesjavë do ta zhvillojë ndeshjen e mbetur kundër Dukagjinit dhe do të ketë mundësi të mirë për t’iu afruar edhe më shumë dyshes kryesuese Feronikelit dhe Gjilanit që kryesojnë renditjen me nga 12 pikë.