11 nëntor, 2018 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 15-të në IPKO Superligë. Prishtina ka shënuar fitoren e radhës, duke e mposhtur Ballkanin, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, me rezultat 2:0. Fitorja e bardhekaltërve u vendos brenda dy minutave, kur fillimisht Marjo Morina shënoi në minutën e 65-të e më pas Meriton Korenica, që të dy me gjuajtje të forta nga distanca. Me këtë fitore Prishtina e ruan pozitën e parë, derisa Ballkani edhe më tutje mbetet në pozitë të palakmueshme. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Gjilani, që e ka mposhtur Drenicën, 1:0. Golin e vetëm të kësaj përballjeje e ka shënuar Vilfor Hysa, në minutën e 84-t. Ndërkaq, Trepça’89 iu gëzua fitores pa ndonjë problem në duel me skuadrën e fundit në renditje, KEK-ut, me rezultat 4:1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Ardit Gashit, në minutën e 8-të, por tre minuta më vonë baraspeshën e riktheu Ergys Mersini. Ndërkohë, rezistencën e “elektricistëve” vendasit e thyen në pjesën e dytë me dy gola të shpejtë të shënuar nga Gëzim Rusi (49’ e 50’), derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Arb Manaj, me golin e shënuar në minutën e 87-të.

Rezultatet e sotme
IPKO Superliga
Prishtina – Ballkani 2:0
Gjilani – Drenica 1:0
Trepça’89 – KEK-u 4:1

Liga e Parë
Besa – Vëllaznimi 2:0
Vushtria – Dukagjini 1:0
Bashkimi – Ramiz Sadiku 2:4
Vllaznia – Fushë Kosova 2:2
Vitia – Kika 2:1