8 dhjetor, 2019 – Sot janë zhvilluar katër ndeshjet e fundit në kuadër të 1/8 së finales së Digitalb Kupës së Kosovës. Prishtina, Gjilani, Liria dhe Vushtrria janë katër skuadrat e tjera çerekfinaliste të kësaj gare, një ditë pasi pjesëmarrjen në këtë fazë e siguruan edhe Feronikeli, Drenica, Ballkani dhe Dukagjini. Prishtina kaloi tutje pasi në stadiumin “Fadil Vokrri” e mundi skuadrën e Ligës së Parë, Arbërinë, me rezultat 1:0, por vuajti jo pak në këtë duel, duke pasur parasysh se skuadra e Arbërisë pati disa mundësi të mira shënimi. Golin e vetëm në këtë ndeshje e shënoi Meriton Korenica nga penalltia në minutën e 27-të. Fitore me rezultat të njëjtë dhe me gol nga penalltia realizoi Liria, e cila e mundi Ferizajn. Golin e fitores për prizrenasit e realizoi Jasmin Muhoviq. Ndeshja që prodhoi më së shumti gola ishte ajo në Gjilan, ku futbollistët shënuan fitore të lehtë në duel me 2 Korrikun, me rezultat 6:1. Nga dy gola për gjilanasit i shënuan Fiton Hajdari dhe Tomislav Busic, derisa me nga një gol kontribuuan Fjoart Jonuzi dhe Qëndrim Sejdiu, ndërkaq golin e vetëm për prishtinasit e realizoi Shala. Ndeshja me shumë gola ishte edhe ajo në stadiumin “Adem Jashari”, ku Vushtrria e mundi Trepçën, me rezultat 4:2. Mitrovicasit kaluan të parët në epërsi me golin e Veton Shabanit (18’), por  Eri Lamçja barazoi më pas me kokë (28’). Në pjesën e dytë vushtrriasit arritën të përmbysin gjithçka me golat e De Souzas (55’) dhe Bashkim Shala (65’). Trepça e ngushtoi epërsinë në minutën e 82-të me golin e Ardian Nezirit, por në minutat shtesë vushtrriasit shënuan sërish nëpërmjet Nertil Hoxhajt, i cili e vendosi rezultatin përfundimtar 2:4.

Rezultatet e 1/8 së finales
Trepça – Vushtrria 2:4
Arbëria – Prishtina 0:1
Gjilani – 2 Korriku 6:1
Liria – Ferizaj  1:0
Ballkani – Trepça ‘89 3:0
Feronikeli – A&N 5:0
Drenica – Dardana 4:0
Vitia – Dukagjini 1:2