15 tetor, 2017 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 10-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Prishtina ka shënuar fitore shumë të rëndësishme si mysafire në Mitrovicë, duke e mposhtur skuadrën kampione në fuqi, Trepçën’89, me rezultat 2:0. Të dy golat për bardhekaltrit e kryeqytetit i shënoi Ahmed Januzi në minutat 6-të dhe 35-të, derisa Trepça’89 më afër golit ishte në minutën e 33-të, por shtylla ia mohoi golin Përparim Islamit. Gjilani shënoi fitore në shtëpi në duel me Drenicën, me rezultat 2:1, duke u ngjitur në pozitën e dytë në renditje. Golat për gjilanasit i shënuan Armend Thaçi (60’) dhe Sami Geci (83’-ag), derisa golin e nderit për kuqezinjtë e Skenderajt e shënoi Genc Hamiti, në minutat shtesë. Para tifozëve të vet fitores iu gëzua edhe Besa, e cila e mposhti Vllazninë, me shifrat 3:1, me golat e shënuar nga Florent Qorraj (20’), Fetim Kasapi (55’) dhe Altin Merlaku (72’), derisa Vllaznia golin e nderit e shënoi në minutën e 75-të. Ndërkohë, ndeshja në Gjakovë ndërmjet Vëllaznimit dhe Dritës u mbyll pa fitues, 1:1. Gjakovarët kaluan të parët në epërsi me golin e Tun Bardhoku në minutën e 7-të, por vetëm pas gjashtë minutash Drita barazoi shifrat me golin e Ardian Limanit.