1 dhjetor, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 17-të (të fundit për stinorin vjeshtor) në Ipko Superligë. Gjilani dhe Prishtina e kanë mbyllur ballafaqimin e tyre pa fitues dhe pa gola. Ndërkohë, Trepça’89 dhe Flamurtari kanë befasuar dy skuadrat pretendente për kreun e renditjes, Dritën, përkatësisht Llapin. “Minatorët” kanë shënuar fitore tejet të rëndësishme në shtëpi në duel me Dritën, me rezultat 3:1, për t’iu shmangur zonës së rrezikshme. Muharrem Jashari shënoi dy gola dhe Leart Emini një në fitoren e mitrovicasve në “Riza Lushta”, derisa golin e vetëm për gjilanasit e shënoi Gilberto Fortunato. Në anën tjetër, Flamurtari ka arkëtuar tri pikë të mëdha në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke e mundur Llapin, me rezultat 4:1. Gentrit Begolli realizoi dy gola, derisa Shend Kelmendi dhe Festim Krasniqi kontribuuan me nga një gol në këtë fitore që u jep shpresa të mëdha kuqezinjve për mbijetesë. Ndërkaq, golin e vetëm për llapjanët e shënoi Muhamed Hyseni.