18 shtator, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 5-të në Ipko Superligë. Prishtina ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion dhe atë si mysafire në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë në duel me Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve të rëndësishme për bardhekaltrit e kryeqytetit e ka realizuar Ahmed Januzi, në minutën e 59-të. Ndërkohë, Llapi dhe Drita e kanë mbyllur duelin e tyre pa fitues në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me shifrat 2:2. Të parët në epërsi kaluan llapjanët me golin e shënuar nga Kastriot Selmanit, në minutën e 5-të. Rezultatin e barazoi Liridon Leci, në minutën e 50-të. Minutat e fundit të kësaj ndeshjeje ishin dramatike. Fillimisht Gilberto Fortunato shënoi për epërsinë e Dritës, 2:1, por kur u mendua se gjilanasit do të kthehen me pikë të plota nga ky udhëtim, në skenë doli Behar Maliqi, i cili i barazoi shifrat në minutat e kohës shtesë. Në anën tjetër, Gjilani ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Ballkanin, me rezultat 1:0 dhe tashmë kryeson i vetëm renditjen, me 12 pikë. Golin e fitores për gjilanasit e ka shënuar Gerhard Progni me të filluar pjesa e dytë. Nesër zhvillohen tri ndeshjet e tjera të kësaj jave, në të cilat takohen: Feronikeli – Flamurtari, Vushtrria-Drenica dhe Dukagjini – Ferizaj.